Çmimet e apartamenteve në Elbasan rriten, blerja bëhet luks për qytetarët

Për një qytet me të ardhura modeste si Elbasani, blerja e një banese po kthehet gjithnjë e më shumë në një luks të paarritshëm për shumicën e familjeve.

Gjatë tre viteve të fundit, edhe Elbasani është përfshirë nga një rritje e vazhdueshme e çmimeve të apartamenteve. Çmime që për shumicën e qytetarëve e bëjnë pothuajse të pamundur blerjen e një banese.

Banorët shprehen se vështirësitë janë të shumta, pasi jo vetëm blerja, por edhe marrja e një banese me qira po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Banorët thonë se rrogat nuk përputhen aspak me realitetin e tregut.

“Kudo që të shkosh nuk blihet me këto rroga. Me zor po jetojmë edhe me qira. Të ardhurat janë qesharake dhe puna pa siguri. Prandaj njerëzit ikin nga vendi’, tha një qytetar.

Një banor tjetër thekson se banesat blihet nga emigrantët që vijnë nga jashtë. Ai theksoi se me 40 mijë lekë në muaj nuk blihet dot as një banese 1+1.

Në zonat pranë qendrës, apartamentet në ndërtimet e reja shiten nga 1000 deri në 1300 euro për metër katror, ndërsa në pallatet ekzistuese nga 800 deri në 900 euro për metër katror. Për shumë qytetarë, këto shifra janë të papërballueshme.

“Një apartament 1+1 shkon 50-60 milionë lekë. Me këto rroga të duhen mbi 40 vjet punë për ta blerë”, tha një banor.

Ndërkohë, edhe tregu i qirave ka pësuar rritje të ndjeshme. Qiratë për një apartament 1+1 variojnë nga 300 deri në 350 euro, ndërsa për 2+1 arrijnë deri në 500 euro.

Kjo lidhet edhe me kërkesën nga të huajt që punojnë në Tiranë, por zgjedhin të jetojnë në Elbasan për shkak të kostove më të ulëta.

Rritja e çmimeve të banesave dhe qirave po e transformon tregun imobiliar të Elbasanit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për të rinjtë sigurimin e një strehë, ndërsa qyteti po shndërrohet në alternativë për ata që punojnë në kryeqytet, por jo për vetë banorët e tij.

Të Fundit