Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, akuzon krerët e shteteve të Bashkimit Evropian për bllokim të pranimit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, sipas tij, pë arsye populizmi.
Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Bild”, kryeministri shqiptar thekson mes të tjerash se “BE ka thyer premtimin dhe po çon në përçarje Ballkanin me cinizëm politik”.
Më tej, ai thekson se “Ndihem si në librin ‘Duke pritur Godonë’”, duke shtuar se “vetëm flitet, por asgjë nuk ndodh”, ndërsa i drejtohet vendeve anëtare të BE me tri pyetje që lidhen me bllokimin e procesit të integrimit për dy vendet, dhe që sipas tij, kërkojnë përgjigje.
Prononcimi i Ramës për “Bild”:
Ishte një ambicie e dashur për shumë kohë nga kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, për t’iu mundësuar qytetarëve tanë të përfitojnë nga një treg i lirë dhe të marrin pjesë në këtë demokraci të madhe. Më lejoni të bëj të qartë diçka: si kryeministër i Shqipërisë, unë e di plotësisht që ne nuk jemi gati të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian sot, as Maqedonia e Veriut, apo pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor.
Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë, në mënyrë që të bëhemi anëtarë. Por, dy kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin. Një fillim i tillë i negociatave u vendos nga vetë Këshilli i BE në vitin 2018. Por, përpjekjet e popujve tanë nuk janë shpërblyer. Më e pakta që meritojmë tani është përgjigjja e pyetjes sonë “Pse?”
Kur Komisioni Evropian kërkoi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të zbatohen disa reforma, përpara se të fillonin negociatat, ne e bëmë. Disa prej tyre, të tilla si Reforma në Drejtësi në Shqipëri, janë të pashembullta për një vend, që nuk ka hyrë ende në procesin e negociatave. Por, ne bëmë progres dhe Komisioni Evropian njohu angazhimin tonë të plotë dhe arritjet tona të jashtëzakonshme në disa raste.
Mirëpo, para se të fillonte zyrtarisht procesi i negociatave, disa vende anëtare të BE dolën kundër, duke vendosur që negociatat me Shqipërinë të shtyhen. Kur erdhi puna për të justifikuar këtë vendim, ata nuk thanë që ne kemi një problem, por në vend të kësaj, u tha se ne kishim disa probleme.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë më shumë se disa probleme. Pikërisht për këtë arsye ne duam të përshpejtojmë procesin e integrimit me BE, në mënyrë që të kemi në dorë mjetet për të zgjidhur këto probleme.
Të jemi të qartë: ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian nesër apo pasnesër. Shqetësimi ynë i vetëm tani është që të marrim programet e nevojshme të ndihmës nga BE, në mënyrë që të rritemi në rolin e një anëtari të ardhshëm në procesin e negociatave të pranimit. Kur krerët e shteteve dhe qeverive evropiane morën përsipër të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ata morën rrugën e “detyrës”. Meqenëse tani nuk kanë arritur ta mbajnë këtë premtim, për të disatën herë, tani duhet të përballen me të vërtetën dhe t’iu përgjigjen disa pyetjeve kritike.
Pyetja e Parë: A ishte arsyeja e vërtetë e dështimit të negociatave, për shkak të kohëzgjatjes së reformave tona (pasi Komisioni i BE zbuloi se përparimi i mjaftueshëm ishte bërë tashmë)?
Apo ishte mosgatishmëria e qeverive të caktuara për të zgjedhur një kurs, që do të ishte jopopullor për disa votues?
Një përgjigje e vërtetë për këtë pyetje është jetike, pasi cinizmi politik përbën po aq kërcënim për rajonin tonë, sa pandemia e Covid-19. Partia ime arriti të fitonte zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, megjithë vonesat në procesin e integrimit. Ne jemi legjitimuar nga shumica e popullsisë sonë për të filluar negociatat. Vendi ynë mbetet i ndarë politikisht.
Premtimet e pambajtura të Bashkimit Evropian vetëm sa e rritën këtë ndarje. Dhe është e vetëkuptueshme se vetëm fillimi i procesit të integrimit na mundëson krijimin e bazës së nevojshme për konsensus politik, që është thelbësor për të ardhmen e vendit tonë.
Pyetja e dytë: Sa prej anëtarëve aktualë të BE plotësuan të njëjtat kushte për të filluar negociatat, kur u bashkuan kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sot?
Kam prirjen të mendoj se pengesat për anëtarët e ardhshëm të BE janë bërë më të mëdha. Por, në të vërtetë BE nuk tregohet e ekuilibruar, duke e bërë fillimin e negociatave më të vështirë, se sa ishte më parë.
Pyetja e tretë: A kanë të drejtë morale disa politikanë evropianë që të shkaktojnë mosmarrëveshje përçarëse në vendet e Ballkanit Perëndimor?
Dhe të këmbëngulësh që krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të rrezikojnë gjithë karrierën e tyre në procesin e integrimit evropian, kur në fakt vetë këta krerë shtetesh të BE nuk janë të gatshëm të heqin dorë sadopak nga komoditeti i tyre politik. Përgjigjen për këtë pyetje ja lë në dorë lexuesit.
Nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë nuk dëshiron ta afrojë Ballkanin Perëndimor drejt Brukselit, atëherë të paktën duhet të jetë i përgatitur të tregojë të vërtetën se pse rruga e negociatave është bllokuar.
Kjo temë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë të vogël, si një motiv përmes të cilit jeta imiton artin. Ndihem sikur po jetoj në dramën e Samuel Beckett “Në pritje të Godosë”: ka shumë fjalë, por asgjë nuk ndodh në fund.
Dhe, disa personazhe kryesorë të Beckett, duke pasur parasysh këtë absurd të vërtetë, neve nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të ecin përpara, sepse Evropa është feja jonë, dhe asgjë nuk do të ndryshojë në lidhje me të, pasi kjo është rruga e fatit tonë.