ChatGPT i dëmshëm për trurin? Ja çfarë thotë studimi

Të shkëputur plotësisht nga idetë tona dhe të varur nga teknologjia. Mos ndoshta e gjithë kjo po na “budallalleps”?

Kështu ka ngritur pyetjen një studim i MIT në Boston, “A është ChatGPT i dëmshëm për trurin?”

Ky studim ka zbuluar se mënyra se si krijojmë përmbajtje me trurin tonë ose me ndihmën e inteligjencës artificiale, që ndryshon thellësisht jo vetëm rezultatin përfundimtar, por edhe mënyrën se si funksionon truri ynë.

Si ndikon mënyra e punës në trurin tonë?

Grupi që punoi vetëm me kapacitetet e veta mendore (“brain-only”) aktivizoi zona të trurit që lidhen me krijimtarinë, përpunimin e kuptimit dhe vetë-monitorimin, të gjitha funksione thelbësore për të gjeneruar, planifikuar dhe rishikuar ide. Ndërkohë, ata që përdorën Google aktivizuan kryesisht korteksin okcipital dhe vizual, pra zona që përpunojnë informacionin vizual të marrë nga ekrani.

Por më interesante ishte ajo që ndodhi me përdoruesit e ChatGPT: ata aktivizuan kryesisht zona të trurit të lidhura me funksione automatike dhe më pak krijuese, duke u mbështetur në një strukturë të jashtme për të prodhuar përmbajtje.

Rezultatet: Konformizëm dhe distancim nga përmbajtja

Të dhënat tregojnë se ata që punuan vetëm me trurin e tyre prodhuan punë të ndryshme, të larmishme dhe origjinale. Ndryshe nga ata që përdorën inteligjencën artificiale, të cilët krijuan tekste të ngjashme dhe thuajse identike me njëri-tjetrin.

Një fakt tronditës: 83% e pjesëmarrësve që përdorën ChatGPT nuk ishin në gjendje të citojnë asnjë fjali nga puna e tyre vetëm pak minuta pas dorëzimit. Kjo tregon një mungesë të lidhjes emocionale dhe mendore me përmbajtjen, si dhe një përqendrim të tepërt në përsëritjen e informacionit të gjeneruar jashtë vetes.

Përkundrazi, shumica dërrmuese e atyre që punuan pa AI ishin në gjendje të kujtonin dhe citonin pjesë të rëndësishme të punës së tyre, duke treguar një lidhje më të fortë me përmbajtjen dhe procesin krijues.

AI nuk ndihmon në përvetësimin e koncepteve

Përdorimi i AI, thotë studimi, i kthen njerëzit në “mbledhës” të ideve që nuk i përvetësojnë vërtet. Kur tekstet u vlerësuan si ese shkollore, algoritmet e inteligjencës artificiale i vlerësuan më lart tekstet e krijuara nga AI. Por mësuesit, vlerësuesit njerëzorë, i njohën menjëherë këto tekste dhe i vlerësuan më pak.

Eksperimenti që nxjerr në pah “borxhin kognitiv”

Në një fazë të katërt të studimit, grupet u shkëmbyen: ata që kishin përdorur gjithmonë AI duhej të shkruanin pa ndihmë, ndërsa grupi tjetër mund të përdorte ChatGPT. Rezultatet ishin tronditëse: grupi i mësuar me AI pati shumë vështirësi për të aktivizuar aftësitë e veta krijuese, duke treguar një “borxh kognitiv”, pra një mungesë ushtrimi mendor.

Vetëm 2 nga 10 persona të këtij grupi ishin në gjendje të kujtonin një element të vetëm nga një tekst i mëparshëm, ndërsa grupi që kishte punuar pa ndihmë më parë shkëlqeu në krijimin e përmbajtjes, madje edhe kur përdori ChatGPT.

Truri më i “plogët” nga përdorimi i tepërt i AI

Edhe elektroencefalografia konfirmoi: ata që ishin mësuar të mbështeteshin te AI tregonin një aktivitet më të dobët cerebral kur u lanë pa ndihmë. Mendja e tyre dukej më pak kreative, me më pak gjykim dhe kujtesë të thellë. Në të kundërt, ata që kishin punuar në mënyrë të pavarur arritën të përforcojnë kapacitetet e tyre duke përdorur AI në mënyrë komplementare.

Përfundimi: AI si mjet, jo si mbështetje kryesore

Studimi përmbyllet me një paralajmërim: kur njerëzit riprodhojnë pa reflektuar sugjerimet e AI, ata heqin dorë nga përvetësimi i ideve dhe rrezikojnë të përvetësojnë perspektiva të cekëta ose të shtrembëruara. Në thelb, bëhen më të manipulueshëm nga propaganda ose interesa të ndryshme.

Ky studim ngre një pikëpyetje të madhe për arsimin, universitetin dhe vetë demokracinë: një shoqëri e lirë, e aftë të mendojë dhe të gjykojë në mënyrë të pavarur, duhet të përdorë inteligjencën artificiale vetëm pasi të ketë ushtruar dhe zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme inteligjencën natyrore.

Të Fundit