Varianti “Omicron” i Covid-19, i cilësuar si “shqetësues”, nga OBSH aktualisht po shkakton një ritëm rekord infektimesh në të gjithë botën.
Megjithatë, kjo rritje e infeksioneve mund të ketë rrjedhoja pozitive lidhur me ashpërsinë e Covid-19, referuar deklaratave të disa ekspertëve.
Miliarderi Bill Gates gjatë një pyetje-përgjigjeje në “Twitter” me Devi Sridhar, kryetar i shëndetit publik në Universitetin e Edinburgut, është shprehur se sapo të ulet rritja aktuale e infektimeve, Covid-19 ka shumë të ngjarë “të trajtohet më shumë si grip sezonal”.
“Ndërsa vendet përjetojnë valën e Omicron, sistemet shëndetësore do të preken. Sapo Omicron të kalojë, pjesa tjetër e vitit duhet të ketë shumë më pak raste, kështu që Covid mund të trajtohet më shumë si një grip sezonal”, tha Gates.
Bashkëthemeluesi i Microsoft-it dhe filantropi miliarder – një avokat i hapur i shëndetit publik – nuk është i pari që bën parashikime të ngjashme. Disa ekspertë thonë se përhapja e shpejtë e “Omicron”, megjithëse sigurisht e rrezikshme, sjell atë që quhet “imunitet natyror”.
Gates parashikon se “Omicron” do të krijojë shumë imunitet, të paktën për vitin e ardhshëm por sipas tij mund të na duhet të bëjmë vaksina vjetore për Covid për ca kohë” – njësoj si vaksinat e gripit.
Gates vuri gjithashtu në dukje se derisa vala e Omicron të ulet, te njerëzit e pavaksinuar do të vazhdojnë të shfaqen “rastet më të rënda” të Covid. Ai gjithashtu parashikoi se sistemet shëndetësore në të gjithë botën do të vazhdojnë të “sfidohen” nga transmetueshmëria jashtëzakonisht e lartë e këtij varianti të ri.
Gates thekson se është e pamundur që të shfaqet një variant i ri që është më i transmetueshëm se Omicron. “Por, virusi na ka befasuar shumë në këtë pandemi”, paralajmëron ai.