Ditën e sotme do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuse seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pezullimin e ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres Belinda Balluku si anëtare e Këshillit të Ministrave.
“Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal””, thuhet në objektin që ka për shqyrtim gjykata.
Gjatë seancës së sotme janë të ftuara si subjekte të interesuara edhe institucioni i presidencës, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.
Kujtojmë se zv/kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë. Më 20 Nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv/kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.
Por Gjykata Kushtetuese e pezulloi vendimin, duke e rikthyer automatikisht në detyrë.
Pas kësaj, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, por mazhoranca është shprehur se për këtë do të vendoset pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.



