Para ambienteve të selisë së PD-së u organizua një ceremoni festive me rastin e 35-vjetorit të themelimit të kësaj partie.
I pranishëm në ceremoni ishte lideri historik, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili shprehu nderim dhe mirënjohje për ish-figurat e Partisë Demokratike, të cilën e cilësoi si partinë më të jashtëzakonshme.
“Nderim dhe mirënjohje të pakufishme për veprën e pavdekshme të tribunit të lirisë, themeluesit dhe prijësit të parë të PD, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë! Nderim të veçantë dhe të madh për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar, Gramoz Pashko. Përulemi me nderim para kontributit dhe veprës së pavdekshme të ish-kryetarit të Parlamentit, Pjetër Arbnori, për Ali Spahinë, për burrin e shtetit që i dha nder shtetit dhe presidencës, Bujar Nishani, Sokol Olldashin, ministër brilant, Gerti Bogdanin dhe dhjetra e dhjetra drejtues e deputet të PD-së që nuk janë më. Kujtimi, vepra dhe trashëgimia e tyre janë dhe do të mbeten krenaria e PD-së në çdo kohë,” tha Berisha.
Më herët, në rrjetet sociale, ai theksoi se PD u lind si lëvizje për liri dhe demokraci dhe mbetet simbol i rezistencës dhe shpresës për shqiptarët.
“Partia Demokratike u lind si lëvizje për liri dhe demokraci. 35 vite më vonë, mblidhemi për të kremtuar themelimin, dhe duam ta bëjmë këtë me ata që i ndanë këto vite të stuhishme, në të mirë e në të keq, me forcën e parë të lirisë,” tha Berisha në postimin e tij.
Më 11 dhjetor 1990 u krijua Partia Demokratike nga një grup studentësh dhe intelektualësh shqiptarë, të cilët zgjodhën si kryetar të Komisionit Nismëtar studentin Azem Hajdari dhe më pas si kryetar të partisë, Sali Berishën.



