E vjetër, me njolla, gërvishtje dhe shenja përdorimi, por me një histori unike pas saj, çanta origjinale “Birkin” prej lëkure të zezë është shitur për 8.6 milionë euro (rreth 10 milionë dollarë amerikanë) në një ankand të organizuar nga shtëpia e njohur Sotheby’s, duke thyer çdo rekord dhe u shpall çanta më e shtrenjtë që është shitur ndonjëherë në ankand.
Çanta, e krijuar në vitin 1984 nga marka prestigjioze Hermès për aktoren dhe këngëtaren britanike Jane Birkin, u shit për një ofertë përfundimtare prej 7 milionë eurosh, ndërsa me tarifat shtesë shuma totale arriti në 8.6 milionë euro. Çanta ishte pjesë e një ankandi online për modën luksoze, ku u përfshinë edhe krijime të dizajnerëve si Alexander McQueen dhe Christian Dior.
Simbol i historisë së modës dhe luksit
Kjo çantë është e para “Birkin” e krijuar ndonjëherë dhe ishte përdorur përditë nga Jane Birkin nga viti 1985 deri në 1994. Pas asaj periudhe, ajo u kthye në një nga simbolet më të njohura të luksit në botën e modës. Sipas Sotheby’s, interesi për këtë objekt unik ishte i jashtëzakonshëm, ku në vetëm pak minuta gara për ofertat mes nëntë koleksionistëve çoi në një betejë të fortë që përfundoi me fitoren e një koleksionisti privat nga Japonia.
Morgane Halimi, drejtore globale e sektorit të çantave dhe aksesorëve në Sotheby’s, e quajti shitjen “një pikë kthese të rëndësishme për historinë e modës”. Ajo shtoi: “Është një dëshmi e fuqishme e legjendës që përfaqëson kjo çantë dhe e pasionit që ajo nxit te koleksionistët që kërkojnë objekte me histori të jashtëzakonshme.”
Një çantë me histori unike
Çanta ka ndryshuar disa herë pronarë që prej vitit 1994, kur Jane Birkin e nxori në ankand për të mbledhur fonde për kërkimin kundër AIDS-it. Ajo është ekspozuar në muze si MoMA në New York dhe Victoria & Albert në Londër, dhe u shfaq për herë të fundit në një ankand 25 vite më parë. Pronarja e mëparshme, e identifikuar si Catherine B., tha se shitja i kujtoi emocionet e betejës së saj për ta fituar dikur çantën dhe “ndjesinë e papërshkrueshme” të fitores.
Çanta mbart elemente unike që e dallojnë nga versionet e mëvonshme: përmasa e saj, detajet metalike, rripi i shpatullës, inicialet “J.B.” të gdhendura në kapakun e përparmë, dhe një palë gërshërë të vogla për thonjtë të varura në rripin anësor një zakon personal i Birkinit që donte të mbante gjithnjë duart e rregullta. Çanta ruan gjithashtu ngjitëse të vjetra nga organizatat humanitare Médecins du Monde dhe UNICEF, që kanë lënë njolla në lëkurë.
Më e vlefshme se diamanti
Kjo shitje theu rekordet e mëparshme të çantave luksoze. Në vitin 2022, Sotheby’s shiti një “Diamond Himalaya Birkin” të zbukuruar me diamant për mbi 450,000 dollarë, ndërsa një çantë tjetër “Kelly” prej lëkure krokodili dhe me diamant u shit nga Christie’s për rreth 513,000 dollarë shumë larg nga vlera që arriti “Original Birkin”.
Ndryshe nga koleksionistët që i trajtojnë çantat Hermès si investime financiare (vlera e të cilave është rritur më shpejt se ajo e arit apo indeksit S&P500), kjo çantë u krijua fillimisht si një zgjidhje praktike. Historia e saj fillon në një fluturim nga Parisi në Londër, kur Jane Birkin, e ulur pranë presidentit të atëhershëm të Hermès, Jean-Louis Dumas, i tha se nuk gjente dot një çantë të madhe sa i duhej për përditshmërinë si nënë e tre fëmijëve.
“Ai më tha: ‘Vizatoje për mua,’ dhe unë e vizatova mbi një nga ato qeset për të vjellë që gjenden në avion,” tregonte Birkin në një intervistë me Christiane Amanpour më 2020. Hermès ia dorëzoi çantën në 1985 dhe më pas i dhuroi edhe katër të tjera gjatë jetës së saj. Royaltitw që mori për emrin i dhuroi çdo vit për bamirësi.
Jane Birkin ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 76-vjeçare. Me humor, ajo kishte parashikuar që njerëzit mund ta kujtojnë më shumë për çantën sesa për karrierën e saj artistike:
“Zoti më faltë, kur të vdes… ndoshta do të flasin vetëm për çantën.”