Burgu i Sarkozy zgjat vetëm tre javë! Lirohet ish-presidenti francez

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të lirohet para kohe nga burgu, tre javë pas nisjes së vuajtjes së një dënimi pesë vjeçar për pjesëmarrje në konspiracion kriminal. Vendimi u mor këtë të hënë, 10 nëntor, nga gjykata e Apelit në Paris. Ai do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së rreptë gjyqësore dhe do t’i ndalohet dalja nga Franca.

Më 21 tetor, ish-presidenti i qendrës së djathtë, 70 vjeç, u dënua me pesë vjet burg për konspiracion në financimin e fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 me para nga diktatori i ndjerë libian Muammar Gaddafi.

Avokatët e tij paraqitën menjëherë një kërkesë për lirimin e tij, në pritje të gjykimit të apelit që pritet të mbahet në marsin e ardhshëm. Sarkozy mund të lirohet nga burgu La Santé që të hënën në mbrëmje.

Duke folur përmes video-lidhjes me një gjykatë në Paris, Sarkozy e përshkroi kohën e tij në izolim si “rraskapitëse” dhe “një makth”.

Prokurori publik Damien Brunet rekomandoi që kërkesa e Sarkozy-t për lirimin të pranohet, por që ish-presidentit t’i ndalohet kontakti me dëshmitarë të tjerë në të ashtuquajturin “dosja libiane”.

Sarkozy, i cili ka mohuar gjithmonë çdo shkelje, i tha gjykatës përmes video-lidhjes se nuk kishte pasur kurrë “idenë e çmendur” për të kërkuar para nga Gaddafi dhe deklaroi se “nuk do të pranoj kurrë diçka që nuk e kam bërë”.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për stafin e burgut që e kishte bërë kohën e tij në burg “të përballueshme”. “Ata kanë treguar një humanizëm të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Bashkëshortja e Sarkozy-t, këngëtarja dhe modelja Carla Bruni-Sarkozy, si dhe dy nga djemtë e ish-presidentit, ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për ta mbështetur.

Sarkozy është ish-udhëheqësi i parë francez që është burgosur që nga Lufta e Dytë Botërore, kur Philippe Pétain, bashkëpunëtor me nazistët, u dënua për tradhti në vitin 1945.

Që nga hyrja në burg, Sarkozy është mbajtur në një qeli në krahun e izolimit. Dy truproja janë vendosur në qeli pranë tij.

“Presidenti i mëparshëm i republikës ka të drejtë për mbrojtje për shkak të statusit të tij”, tha ministri i brendshëm Laurent Nuñez në tetor, duke shtuar se “ka qartësisht një kërcënim ndaj tij.”

Sarkozy ishte president nga viti 2007 deri në 2012. Që kur la detyrën, ai është ndjekur nga hetime penale dhe për disa muaj ka mbajtur një pajisje elektronike në kyçin e këmbës pas një dënimi në dhjetorin e kaluar për përpjekje për të korruptuar një gjyqtar për të marrë informacion konfidencial mbi një çështje tjetër.

Të Fundit