Ngacmimi, fyerjet dhe talljet janë format më të shpeshta të dhunës në shkolla tona. Bullizmi ndiqet nga dhuna psikologjike, fizike dhe shantazhi. Nuk mungojnë as tentativat apo vetëvrasjet dhe dhuna seksuale ndonëse më të rralla.
Kjo del në pah nga një raport i Ministrisë së Arsimit sipas të cilit vitin e shkuar shkollor në institucionet arsimore u konstatuan 2750 raste dhune ose mesatarisht 2 raste për shkollë.
Më shumë prej tyre ndodhën në zonat urbane se ato rurale, në shkollat publike se private dhe në arsimin e mesëm të lartë se në atë bazë.
Kryeson Tirana me 873 raste dhe në fund renditet Selenica me asnjë rast.
Dhuna më shpesh ka ndodhur mes nxënësve. Fëmijët kanë raportuar gjithashtu dhe dhunë të prindërve, mësuesve apo personave të tjerë ndaj tyre. Por dhe mësuesit kanë treguar se janë dhunuar nga nxënësit dhe prindërit nga fëmijët. Dhuna ka ndodhur në klasa ku nuk kanë qenë të pranishëm mësuesit, jashtë mjediseve të shkollës dhe në familje.
Shumë prej konflikteve në shkollë janë zgjidhur me njoftimin e prindërve por ka pasur raste dhe kur është dashur ndërhyrja e policisë.
Në raportin edukimi kundër dhunës dhe parandalimi i saj në shkollë theksohet nevoja për ndërtimin e një sistemi për raportimin e rasteve në kohë reale, hartimin e programeve prandaluese dhe ndërgjegjësimin e komunitetit.