Të rinjtë që do të studiojnë në universitetin bujqësor në Tiranë do të paguhen 40 mijë lekë në muaj. Me këtë vendim, universiteti synon që të shtojë kuotat e munguara gjatë viteve të fundit.
Studentët që zgjedhin degët prioritare si Agronomi, Mbrojtje Bimësh, Inxhinieri Pyjesh dhe të tjera pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, do të përfitojnë bonus në vlerën e pagës minimale.
Pasi qeveria hoqi kufirin e notës mesatare 8.5 për të përfituar mbështetje financiare, mundësinë për të përfituar bonusin 40 mijë lekë në muaj do ta kenë të gjithë maturantët që do të fitojnë të drejtën e studimit.
Drejtuesit e Universitetit thonë se këto degë do të jenë më të kërkuarat në tregun vendas të punës dhe diplomat njihet në të gjithë botën.
Universiteti Bujqësor ka 20 programe bachelor, më shumë se 30 programe masteri dhe 6 programe doktorate, të cilat fokusohen veçanërisht në shkencat bujqësore dhe ato të jetës, bujqësi, ekonomi dhe agrobiznes, ushqim, mjedis, mjekësi veterinare dhe pyje.
Benefit i radhës për studentët që do të ulen në auditor, është edhe përjashtimi nga tarifa vjetore e studimit, si dhe një një pagesë simbolike 5000 lekë për ata që do të strehohen në kampusin e universitetit.
Lëvizje të tilla nga ky universitet vijnë për shkak të numrit në ulje të studentëve përgjatë viteve të fundit.