Ish-Presidenti Bujar Nishani deklaron se sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet, Lulzim Bashës do t’i sekuestrohet çdo pasuri e paligjshme që ka krijuar gjatë 8 viteve në opozitë kur mori drejtimin e PD-së në vitin 2013.
Gjatë një interviste në “Klan News”, Nishani akuzon Bashën se në protestën e 8 Janarit kishte brenda selisë persona me precedentë kriminalë.
“Unë përfitoj nga rasti që t’ju them gjithë këtyre individëve me rekorde kriminale dhe Lulzim Bashës si kapo i tyre, të rikthejnë pak kujtesën se ç’ka ndodhur me individë të ngjashëm në periudhën 2005-2009 kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, i gjetëm nga “vrima e miut” të gjithë ata që kishin kryer veprime kriminale në të shkuarën dhe i sollëm me pranga në duar dhe në këmbë para drejtësisë. Dhe këtyre po u them që nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet. Edhe Lulzim Basha nuk do t’i shpëtojë drejtësisë sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet. E garantoj Lulzim Bashën edhe të gjithë qytetarët që në ndjekin, se Lulzim Basha jo vetëm që do të vihet para drejtësisë për aktet e rënda kriminale dhe penale që ka kryer këto ditë, të falsifikimit që ka kryer përmes përdorimit të siglës, emrit të Partisë Demokratike, është një falsifikim i pastër, dhe njëkohësisht do të hetohet dhe do t’i sekuestrohet çdo pasuri e paligjshme që ka vendosur në këto 8 vite duke shfrytëzuar postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Këtë unë e garantoj ndoshta sot, është nga gjërat e vetme që mund t’ju garantoj që do ndodhi që në momentet dhe ditët e para të qeverisjes së Partisë Demokratike”, deklaroi Bujar Nishani.