Britania e Madhe liron 26 mijë të burgosur: Nuk kemi vend në burgje

Mbi 26,000 të burgosur, përfshirë edhe disa me dënime të gjata, janë liruar në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të një programi qeveritar që synon lehtësimin e mbipopullimit në burgje, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Daily Mail.

Midis të liruarve gjatë periudhës shtator 2024 mars 2025 janë 248 persona me dënime 14-vjeçare ose më të gjata për krime të rënda. Shumica e tyre janë shtetas britanikë, ndërsa mbi 2,600 janë shtetas të huaj.

Sipas skemës, çdo muaj lirohen mesatarisht 3,461 të burgosur, të cilëve u është lejuar lirimi pas vuajtjes së 40% të dënimit. Parashikohet që deri në fund të vitit të parë të programit të lirohen rreth 45,000 persona.

Në media janë raportuar raste ku të burgosurit e liruar falënderuan kabinetin e kryeministrit Keir Starmer dhe u zotuan për mbështetjen e Partisë Laburiste, por disa prej tyre kanë kryer krime të reja vetëm disa orë pas lirimit.

Ministria e Drejtësisë theksoi se programi është një veprim i domosdoshëm për të parandaluar mbingarkesën në burgje dhe për të shmangur ndalimet e pakontrolluara nga policia, pasi sistemi i burgjeve u la në gjendje të vështirë nga qeveria konservatore e mëparshme.

Qeveria ka nisur ndërtimin e 14,000 vendeve të reja në burgje dhe po reformon dënimet për të garantuar kapacitet të mjaftueshëm në sistemin e drejtësisë.

Nga ana tjetër, opozita dhe analistë si Nigel Farage paralajmërojnë se krimi në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, duke krijuar rrezikun e një kolapsi social.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, krimet me thikë janë rritur me 87% gjatë 10 viteve të fundit në Angli dhe Uells, me rreth 55,000 incidente vetëm në vitin 2024. Një studim i fundit zbuloi se 39% e vjedhjeve të telefonave celularë në Evropë kryhen aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Të Fundit