Zyrtarisht Covid nuk është më një pandemi, edhe pse tashmë qarkullon ashtu si virozat e tjera stinore. Piku i virozëve janë muajt janar-shkurt, dhe ditët e fundit situata e rënduar gripale ka përfshirë gjithë vendin.
Skënder Brataj, drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencave i ftuar në media, u shpreh se Covid nuk ka ikur ndonjëherë, ndërsa theksoi se ka qenë prezent dhe më pak i dëmshëm.
“Nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Jemi në një periudhë normale gripi. Duhet të kemi parasysh se janë miliarda viruse që qarkullojnë. Në kushtet që njeriu vë dorë te natyra, normal që mund të ketë një aktivizim të viruseve.
Ka pasur një rritje deri javën e kaluar. Java e fundit ishte mesatarisht me 14 raste në ditë, është 4 më shumë se vitin e kaluar. Kjo është tipike e kësaj periudhe.
Covid s’ka ikur ndonjëherë. Është më pak i dëmshëm se gripi në këto momente. Këto dy vite ka qenë më ndryshe, çfarë ndodhi? Dy tre vitet e fundit ndodhi një izolim. Covid tani ka dalë më i dobët, ka bërë ciklin e vetë. Izolimi më i madh ishte në Kinë.”, u shpreh Brataj.