Një 49-vjeçare në Itali është arrestuar për vrasje me dashje, pasi braktisi nënën e moshuar dhe të paaftë fizikisht, e cila për pasojë vdiq nga uria.
Ngjarja ka ndodhur në muajin qershor në Romë, kur u gjet trupi i pajetë i të moshuarës. Nga hetimet ka rezultuar se vajza e saj, në vend që të kujdesej për të, ishte larguar për të kaluar pushimet në Abruzzo, duke e lënë atë pa kujdesin e nevojshëm.
Prokuroria e Tivolit lëshoi një urdhër arresti ndaj 49-vjeçares, duke e konsideruar atë të dyshuar për veprën penale të braktisjes së një personi të paaftë, shkak për të cilin nëna e moshuar vdiq.
Ndaj 49-vjeçares fillimisht u caktua masa e arrestit të shtëpisë, deri në pritje të përfundimit të hetimeve për pozicionin e saj.
Por policia gjatë hetimeve gjeti disa shënime për të cilat 49-vjeçarja i referohej blerjes së një bilete për tu larguar për t’i shpëtuar masës shtrënguese të cilës i ishte nënshtruar. Për këto arsye, ditët e fundit Prokuroria ka kërkuar rëndimin e masës dhe karabinierët e Monterotondo kanë zbatuar masën e arrestit me burg, të lëshuar nga Gjykata e Tivolit, për akuzën e vrasjes së rëndë me dashje.