Sipas një sondazhi të ri, e vetmja kandidate e mundshme që mund të mposht Donald Trump në zgjedhjet presidenciale është Michelle Obama. Ish-zonja e parë, 60 vjeçe, do të mundte Trumpin, 78 vjeç, me dhjetë pikë, tregoi një sondazh i ‘Reuters’ dhe ‘Ipsos’, pa asnjë kandidat tjetër të mundshëm që mund të mposhtte ish-presidentin.
Kjo vjen pasi Barack Obama u ka thënë privatisht aleatëve se Biden, 81 vjeç, përballet me shanse të vështira për t’u rizgjedhur pas performancës katastrofike të debatit të javës së kaluar, gjatë të cilit presidenti amerikan bëri një sërë gabimesh. Mbështetja për Michelle Obama u rrit pavarësisht se ajo më parë kishte përjashtuar mundësinë e kandidimit. Kur votuesit u pyetën për një përballje hipotetike të kandidatëve demokratë, 50 për qind thanë se do të votonin për Michael Obama – ndërsa vetëm 39 për qind thanë Trump.
Sondazhet tregojnë se Obama nuk është vetëm një zëvendësuese potenciale e fuqishme për Biden, por gjithashtu i kalon në mënyrë të konsiderueshme kandidatët e tjerë të mundshëm, duke përfshirë zëvendëspresidenten e Biden, Kamala Harris dhe guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom. Pavarësisht nga popullariteti i saj dhe njohuritë e fituara si Zonjë e Parë, Michelle Obama ka refuzuar vazhdimisht thirrjet për të hyrë në botën politike. Ngurrimi i saj është i mirë-dokumentuar dhe rrjedh nga një mospëlqim i thellë i politikës partiake dhe një dëshirë e fortë për të shmangur presionet që lidhen me fushatën dhe qeverisjen. Kjo neveri ndaj politikës u artikulua në librin e saj të vitit 2018, “Becoming” dhe në intervista të ndryshme ku ajo shprehu kënaqësinë që ndjen me jetën e saj pas Shtëpisë së Bardhë, duke u fokusuar në projektet personale dhe jo në postet publike.