Bossi shqiptar i drogës rrëfehet për Daily Mail: Policia britanike nuk do të na mposhtë kurrë!

Në intervistë eksluzive për Daily Mail, një boss shqiptar i drogës e thotë me bindje se policia britanike nuk do i shpërbëjë dot kurrë bandat që trafikojnë kokainë në Mbretërinë e Bashkuar. Gangsteri, siç media prestigjoze e cilëson, foli në kushtet e anonimitetit duke rrëfyer se ‘sabotimi’ i punës së policisë britanike është një praktikë kyçe e këtyre grupeve.

Daily Mail shkruan se që nga viti 1995, shqiptarët kanë qenë lojtarë të rëndësishëm në tregtinë e kokainës në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë. Në tregun britanik depërtuan në fund të vitit 2000, me moton “shit lirë, shit shumë”. Shqiptari që ka folur për median britanike, ka vuajtur plot 17 vite në qeli, si pjesë e një bande të strukturuar kriminale që merrej me trafikimin e kokainës. Ai thekson se “policia britanike nuk do t’i mundë kurrë” dhe se “objektivi kryesor i tyre është dërgimi i parave në vendlindje”.

Që prej 2005-ës, Agjencia Kombëtare e Krimit ka arrestuar qindra shqiptarë për veprën penale të trafikimit të drogave të forta.

Në fund të vitit të shkuar, numërohen rreth 1100 shqiptarë në burg, përfshirë dhe bosët e dyshuar të mafies ballkanike. Përveç kontrollit të tregtisë së drogës, gangsterët shqiptarë janë dënuar gjithashtu për vrasje, krime seksuale, pastrim parash dhe kontrabandë njerëzish. Ajo që është interesante për t’u nënvizuar: Sapo shkatërrohet një grup kriminal, një tjetër e zëvendëson atë! Këtë e ka ndarë me gazetarët “gangsteri anonim”.

Sipas tij, kur një anëtar i bandës binte në prangat e policisë, telefoni i tij shitej për rreth 100 mijë paund, për shkak të kontakteve të regjistruara. Kjo është një nga taktikat që i kanë bërë këto grupe të pakonkurrueshme për vite me radhë dhe “mbretër” të tregtisë britanike të drogës. “Ata negociojnë drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane”, thekson Daily Mail.

Në artikull, përmendet edhe Struktura e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK), si një institucion që po lufton krimin e organizuar dhe po zbulon skemat e pastrimit të parave në Shqipëri. Po ashtu nënvizohet se deri në fund të 2024-ës, përqindja e shqiptarëve në Angli u rrit më shumë se çdo kombësi tjetër. Vetëm në 2022-in, në mënyrë të paligjshme, atje mbërritën afro 13 mijë shqiptarë.

Të Fundit