Boshatiset Poliçani, të rinjtë largohen për shkak të mungesës së punës

I lindur si një projekt industrial në zemër të Shqipërisë, Poliçani për dekada me radhë ishte simbol i punës dhe rinisë.

Themelimi i tij lidhet ngushtë me ngritjen e uzinës mekanike, një ndër më të rëndësishmet e kohës, e cila u kthye në motorin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe social të zonës.

Mbyllja e uzinës mekanike shënoi një kthesë të fortë për qytetin, shumë familje u detyruan të largohen në kërkim të mundësive të reja, fillimisht drejt qyteteve të mëdha dhe më pas jashtë Shqipërisë.

Poliçani përballet me një realitet krejt tjetër, qyteti që dikur mburrej me rininë, sot duket i boshatisur. Të rinjtë janë të paktë dhe mungesa e tyre ndihet në qytet, në rrugët e tij, sidomos në pedonalen kryesore ku dominon prania e të moshuarve.

“Këtu pensionistë kanë mbetur, të rinj janë shumë shumë pak. Për arsye të punës, s’ka punë ky është problemi….uzina që ishte ajo është mbyllur, vetëm ajo ishte oksigjeni i qytetit. Kam qenë 15 vite, ajo kohë ishte se ne kishim punë të gjithë… Kishte gjallëri qyteti”, tha një qytetar.

“Kështu e shty unë vërdall, dil atje lart ktheu këtu, pastaj vete vakti i bukës, vete ha drekën dhe ikën dita.. Rinia janë jashtë. Këtu s’ka mbetur, vetëm disa çuna të shkollës dhe të tjerët janë jashtë, në Amerikë, në Greqi, në Itali. Rinia do punë, këtu punë nuk ka për të rinjtë”, shprehet i moshuari.

Sfida e sotme për Poliçanin mbetet rikthimi i jetës në këtë qytet, përmes investimeve, hapjes së vendeve të reja të punës dhe krijimi i kushteve që të rinjtë të kenë arsye për të qëndruar apo për t’u rikthyer.

Të Fundit