Banorë të fshatrave në anë të autostradës Lushnje-Fier kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste mëngjesin e kësaj të shtune, duke krijuar radhë kilometrike automjetesh.
Banorët kundërshtojnë vendosjen e barrierave metalike nga ARRSH për mbylljen e Kryqëzimit në autostradën Lushnje-Fier, i quajtur ‘pushimi i shoferit’. Ata thonë se me mbylljen e këtij kryqëzimi u duhet të kryejnë më shumë se 30 deri ne 40 km rrugë shtesë për të shkuar në destinacion nga rrethrrotullimi i Kolonjës.
Pas protestës së banorëve të zonës, të cilët bllokuan rrugën për 20 minuta, punonjësit kanë ndërhyrë, duke hequr barrierat.
Kryqëzimi i autostradës Lushnje-Fier, në vendin e quajtur ‘pushimi i shoferit’, është mbyllur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar te premten.
Ky kryqëzim ka shërbyer si nyjë lidhëse nga autostradë në drejtim të qytetit të Divjakës si dhe nga autostrada në njësitë administrative Krutje, Allkaj, Bubullimë, Fiershegan e më tej për në Kuçovë e Berat, ndërsa pas bllokimit nuk ka rrugë alternative.
Banorë dhe fermerë të zonës kundërshtojnë këtë veprim, me argumentin se për ta zgjatja e rrugës është humbje kohe e po ashtu edhe financiare.