Në dy ditët e fundit të muajit shkurt, Tirana do të jetë mikpritëse e dy samiteve. I pari do të mbahet të mërkurën e 28 shkurtit ku për herë të parë në vendin tonë do të organizohet një samit dedikuar Ukrainës, ku prezent do të jetë edhe vetë presidenti Volodimir Zelenksy.
Kreu i shtetit të Ukrainës pritet që të mbërrijë në vendin tonë mbrëmjen e së martës për të marrë pjesë në këtë samit, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve të Europës Juglindore.
Policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e vizitës së presidentit të Ukrainës, ndërkohë që në këtë kuadër duke nisur nga nesër disa rrugë do të bllokohen.
Kështu 1500 forca policore do të jenë në terren, ndërkohë që të gatshëm do të jetë i gjithë reparti RENEA.
Policia rrugore do të ndalojë që nga nesër parkimet në rrugët që do të bllokohen për dy samitet. Po ashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar të gjitha informacionet dhe përmbajtjet e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste të mos lejohen të futen në vendin tonë.
Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.
Do të bllokohen në intervale të ndryshme kohore:
– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Shërbimet e Policisë do të jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative.