Opozita nis këtë të hënë mosbindjen civile me protestën e paralajmëruar në kryeqytet, e cila do të fillojë në orën 18:00.
Në shkresën që Partia Demokratike i ka dërguar policisë, kërkohet një leje prej katër orësh për tubimin, nga ora 18:00 deri në orën 22:00. Kjo shkresë specifikon vetëm lejen për zhvillimin e protestës para Kryeministrisë, pa dhënë detaje mbi itinerarin që do të ndjekin protestuesit.
Për sigurinë e protestës, rreth 1,000 deri në 1,500 efektivë nga Forcar e Rendi, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Shqiponjat do të jenë në terren. Forcat RENEA do të jenë gjithashtu në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të ndonjë incidenti. Autobotë me ujë do të jenë të vendosur në pjesën e pasme të Kryeministrisë dhe në disa pika të tjera pranë institucioneve ku pritet të protestohet.
Reagimet e forta nga opozita janë nxitur nga dënimi me burg i deputetit Ervin Salianji, çka ka rezultuar në thirrjen për protestë sot në sheshin para Kryeministrisë dhe në akse të tjera të qytetit. Kauza e protestës është e lidhur ngushtë me kërkesat për mosbindje civile, një apel i përsëritur nga opozita, e cila shpreson të mobilizojë një numër të madh njerëzish për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Mëngjesin e sotëm, për të garantuar rendin gjatë protestës, janë forcuar dyert kryesore të Kryeministrisë. Ndërkohë, burime për media konfirmojnë se kryeministri Edi Rama është rikthyer në detyrë pas operacionit që ka kryer, por ende nuk ka planifikuar aktivitete publike.