Ish-ministrja e Brendshme e Maqedonisë së Veriut Gordana Jankullovska është dërguar në burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut për të vuajtur dënimin me 4 vite për keqpërdorim të funksionit gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Brendshme.
Ajo u shpall fajtore për blerjen e një ‘Mercedesi’ luksoz 600 mijë euro në emër të ministrisë, por që privatisht e përdorte ishte kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është në arrati.
Jankullovska me vetëdije kishte harxhuar para nga buxheti i ministrisë për të plotësuar kërkesat e ish- kryeministrit.
Jankullovska ishte dënuar një vit më parë, por për shkak se kishte fëmijë të vogël të porsalindur dhe për shkak të ankesave ndaj vendimit, dënimi i saj po ekzekutohet tani.
Fillimisht Jankullovska ishte dënuar me 6 vite burg, por instancat më të larta gjyqësore ia ulën dënimin në 4 vite.
Drejtori i burgut Aleksandar Donev konfirmoi për Euroneës Albania se Jankullovska është dërguar me polici në orën 17:00 të pasdites dhe është vendosur në repartin e femrave të burgut.