Bleona Qereti: Unë e nisa duke mbajtur radhë për bukën në Shqipëri dhe ia dola në Amerikë, nuk krahasohem me asnjë

Këngëtarja Bleona Qereti, e cila prej vitesh jeton në SHBA, ka dhënë një intervistë për revistën Living.

Ndër të tjera ajo është pyetur për Rita Orën e Dua Lipën, dy këngëtaret shqiptare me famë botërore, dhe krahësimin me to.

“Dua Lipa dhe Rita Ora i përkasin sistemit amerikan; ato janë, teknikisht, këngëtare britanike apo amerikane me origjinë shqiptare.

Unë nuk kam arsye të krahasohem me to, sepse rrugëtimi ynë është tërësisht i ndryshëm.

Ato nuk kanë ndenjur në radhë për bukë si të gjithë ne në vitet ’90, nuk kanë pasur një karrierë në Shqipëri dhe më pas të kenë kaluar në skenën ndërkombëtare.

Ato janë formuar atje, ndërsa unë jam rritur dhe kam filluar këtu, në Shqipëri”, tha Bleona.

“Unë nuk jam e lindur në Amerikë, unë flas me theks kur flas anglisht. Për Amerikën do jem gjithmonë një artiste e huaj, ndërkombëtare, e cila sjell më të mirën e kulturës së vendit nga i cili vjen, të miksuar me kulturën e vendit në të cilin jeton, si një ambasadore e saj.

Unë nuk jam në konkurrencë me Beyonce apo me Taylor Swift. Jam e vetme në ligën time, e cila është të jem e famshme në Amerikë, por që mbetem një e artiste e huaj. Vendimi im ishte të promovoja pamjen time klasike, me personalitetin tim pasionant, një pamje Monica Bellucci, me një personalitet si Gaga dhe Madonna, e ardhur e gjitha në trajtën e një këngëtareje POP. Kjo jam unë. Kam punuar me veten për ta kuptuar”, shprehet ajo.

Duke shtuar se:

“Unë do të sjell muzikën time shqip, por dhe anglisht, muzikën që më ka bërë mua të famshme, do ta sjell në standardin që unë kam sot, jo me një standard të një epoke të kaluar, e cila ishte e bukur për kohën kur ishte e tillë.

Do të jetë versioni i Bleonës që unë jam tani, me eksperiencën që unë kam sot si artiste, me njohjet, me buxhetet dhe me atë që di në këto momente. Njerëzit nuk janë të detyruar të të pëlqejnë. Ata zgjedhin të të pëlqejnë ose jo në varësi të asaj që ti i ofron botës.”

Ajo flet dhe për artistët shqiptarë.

“Nëse unë do t’i bëja gjërat me frikë e dyshim, nuk do të bëja asgjë e nuk do të shkoja askund. Sot, artistët besojnë gënjeshtrat e veta, mendojnë që janë realisht aq të famshëm sa numrat e rremë të Instagramit.

Ndërkohë që këta shqetësoheshin për numrat fals të ndjekësve, unë shqetësohesha për numrat e vërtetë në llogarinë time bankare”, shprehet Bleona.

Të Fundit