Komunikimi me një shtetase gjermane nëpërmjet “Google Translate” i ka kushtuar vendin e punës një punonjësi të policisë, inspektorit me iniciale R.Xh.
“Në lidhje me sjelljen në mënyrë joprofesionale, gjatë kryerjes së detyrës, të punonjësit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, inspektor R. Xh., gjatë komunikimit me një shtetase gjermane, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë punonjësin e Policisë dhe ndaj tij ka nisur ecurinë disiplinore.”
Drejtori i Policisë së Shtetit, Rrumbullaku ka urdhëruar transferimin e mënjëhershëm të këtij punonjësi policie, nga Sektori i Policisë Rrugore në një strukturë tjetër të Policisë së Shtetit.
Më datë 10.06.2024, te kryqëzimi i Tales, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtuese shtetasen gjermane J. W., pasi kanë konstatuar se qarkullonte me njërën dritë të automjetit, të djegur.
Pasi i kanë komunikuar arsyen e ndalimit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shtetasja nuk dinte shqip dhe për këtë arsye komunikimin me të e kanë bërë nëpërmjet Google Translate.
Për shkeljen e kryer (qarkullim me të meta teknike pamore), të parashikuar nga neni 79 i Kodit Rrugor, shtetasja J.W. është ndëshkuar me masë administrative 1000 lekë”, njofton policia.
Gjermanja ka pranuar të paguajë gjobën në çast (në dorë) dhe për këtë arsye, masa administrative është përgjysmuar në 500 Lekë. Këto veprime janë të dokumentuara me fletën e masës administrative dhe me mandatin e arkëtimit për pagesën e bërë.