Pas fitores në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit nën siglën e Partisë Socialiste, Ervin Ceca ka kryer sot betimin si kryetar i Bashkisë Berat.
Ceremonia u zhvillua në sallën e Këshillit Bashkiak, ku të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit vendor dhe atij qendror, përfaqësues të klerit, si dhe këshilltarë të Partisë Socialiste. Në seancë munguan përfaqësuesit e opozitës.
Ai theksoi se do të mbështesë çdo nismë që i shërben komunitetit, duke u fokusuar në shërbime më efikase, zhvillim urban dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje.
“Mandatimi im nga ky këshill bashkiak është një përgjegjësi e madhe dhe një angazhim solemn përpara çdo qytetari të Bashkisë Berat. Ky është një moment që nuk e konsideroj formal, por një thirrje për t’i shërbyer qytetit me integritet, profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Ky mandat do të jetë zhvillimi i punës së nisur në qytetin e Beratit; çdo vendim, projekt apo investim do të ketë si qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë”, tha Ceca.
Ceca fitoi mandatin e parë në drejtim të Bashkisë së Beratit përballë kandidatit të pavarur Pavlo Shkarpa me mbi 83% të votave.



