16 shtetas të huaj, me profesione të ndryshme si mjekë, inxhinierë, artistë dhe stomatologë, nisën një rrugëtim të ri në jetën e tyre pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare dhe duke u betuar para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për besnikëri ndaj shtetit shqiptar.
Në ceremoninë e betimit, kryebashkiaku Erion Veliaj i ftoi shtetasit e rinj që të jenë zëdhënës të së mirës. “Ju ftoj në këtë mision për të qenë zëdhënës të së mirës, të së bukurës, të gjërave që na bashkojnë, jo të atyre që na ndajnë. Kur këtë e bëjnë kombe apo vende që janë në luftë, ne që jetojmë në paqe, që jemi duke bërë progres çdo ditë, duhet ta bëjmë patjetër. Kush e kishte menduar se Shqipëria jonë, dikur vendi më i izoluar në Europë, do ishte sot një vend ku, çdo javë, 20 të huaj bëhen shtetas shqiptarë. Kush e kishte menduar se vendi ku të vrisnin po të hyje apo të dilje pa leje, sot do të ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kur ne shqiptarët fokusohemi te puna, te misioni, bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se debatet politike nuk duhet të bëhen pengesë për progresin e vendit. Ai theksoi se kur vjen puna për qytetin dhe për vendin, të gjithë duhet të punojnë bashkarisht për të ecur përpara. “Më thyhet zemra kur shoh njerëz, sidomos ata që merren me politikë ose me media, të cilët sharjen e vendit të tyre e kanë kthyer në sport. Por, ky është një sport që nuk prodhon vota, nuk prodhon as klikime, ndaj nuk e di pse po kthehet në modë kjo. Kush punon në biznes e di se për produktin tënd ti je i pari që duhet të flasësh mirë, ta marketosh mirë, pastaj të mbështesin edhe të tjerët. Patjetër që do kemi debate për disa gjëra që mund të bëhen më mirë, patjetër që do ketë vërejtje, në demokraci ka fushata politike ku njerëzit debatojnë, por jo përditë. Ka një ditë për debat dhe për votë, ama 4 vjet duhet të punojmë që vendi të ecë përpara”, deklaroi ai.
Teksa e cilësoi marrjen e shtetësisë një mision, Veliaj deklaroi se Shqipëria tregoi se di të ngrihet pas çdo fatkeqësie. Më pas, ai u ndal edhe te suksesi i Luiza Gegës, e cila ngriti lart flamurin kuqezi, duke u shpallur Kampione e Europës në atletikë. Veliaj tha se mbështetja për kampionen ia vlejti.
“Nuk lispet as të marrim pushkën, as të shkojmë në mal, as të luftojmë fizikisht. Lipset që secili prej nesh ta dojë këtë skuadër dhe të flasë mirë për këtë skuadër. Kjo skuadër u nderua në Kampionatin Europian të Atletikës falë Luiza Gegës, sforcimit të saj. Ajo është pjesë e skuadrës sonë, jo vetëm e Shqipërisë, por e Klubit të Tiranës, dhe jam i lumtur që gjithë ai investim, edhe për t’u stërvitur jashtë në Kenia, ia vlejti. Ia vlejti sepse ishte një investim për të ngritur këtë flamur dhe për të qenë krenarë për këtë skuadër”, theksoi Veliaj.
Pas leximit të formulës së betimit nga ana e Kryetarit të Bashkisë, 16 shtetasit që kanë fituar shtetësinë shqiptare, nënshkruan edhe aktin e betimit.