Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kremtuan këtë të hënë Ditën e Ujit të Bekuar, një ngjarje e rëndësishme fetare që simbolizon Pagëzimin e Zotit Jezu Krisht në lumin Jordan. Kjo ditë shënon një moment të shenjtë në kalendarin kishtar, dhe si çdo vit, në qytetet kryesore të Shqipërisë ukrye rituali i hedhjes së Kryqit në det.
Korçë: Elvis Rakip Fiton Përsëri Gara për Kapjen e Kryqit
Vlorë: Bledi Dhima shpallet fitues i ritualit të Ujit të Bekuar
Në Vlorë, ceremonia e hedhjes së kryqit u zhvillua në një atmosferë festive, pavarësisht temperaturave të ulëta të janarit. Bledi Dhima u shpall fitues i garës për kapjen e kryqit, pasi së bashku me dy të rinj të tjerë sfiduan ujërat e ftohta për të realizuar këtë ritual të shenjtë.
Durrës: Vasil Aleksi kap Kryqin për herë të dytë
Në Durrës, qindra qytetarë ndoqën ceremoninë e Ujit të Bekuar, që u zhvillua në Portin e Durrësit. Pas riteve fetare, të rinjtë garuan për kapjen e kryqit që u hodh në ujërat e detit. Vasil Aleksi, 18 vjeç, u shpall fitues i garës për herë të dytë. Ai ka theksuar se kapja e kryqit në vitin e kaluar i solli fat dhe bekim, çka e motivoi të garonte dhe këtë vit.
Berat: Kostandin Boçi fiton garën për kapjen e Kryqit
Në Berat, festivitetet për Ditën e Ujit të Bekuar u zhvilluan me një ceremoni të veçantë në lumin Osum. Pas riteve fetare në Kishën e Shën Dhimitrit, Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti, hodhi kryqin në ujërat e ftohta të lumit, ku 7 të rinj u hodhën për ta kapur. Kostandin Boçi, një 16-vjeçar nga lagjia “Goricë”, arriti të kapte kryqin për herë të dytë radhazi, një fitore që ka simbolizuar për të një bekim të madh.
Fier: Samuel Kola fiton garën për kapjen e Kryqit
Në Fier, ceremonia e Ujit të Bekuar bashkoi besimtarët ortodoksë, katolikë dhe myslimanë, të cilët ndanë së bashku këtë ngjarje shpirtërore. Pas meshës së mbajtur në Kishën “Shën Gjergji”, besimtarët u drejtuan në shatërvanin e qytetit ku kryqi u hodh në ujë nga Hirësia e Tij At Nikolla. Samuel Kola, një 18-vjeçar nga Rroskoveci, u shpall fitues i garës për kapjen e kryqit, duke marrë edhe shpërblimin prej 5 mijë lekësh, të cilin e ofroi kisha.
Lushnje: Sonja Mahmuti fiton garën për kapjen e Kryqit
Në Lushnje, pas meshës dhe ankandit të ikonave, At Josif Muço hodhi kryqin në shatërvanin e qytetit. Sonja Mahmuti, një besimtare nga qyteti, arriti të kapte kryqin, duke i dhënë kështu një dimension të veçantë kësaj dite të shenjtë.
Edhe në Elbasan besimtarët ortodoksë kremtuan Ditën e Ujit të Bekuar. Kryqi fatsjellës u kap nga 14-vjeçari Emanuel Sholla.
Dita e ujit të Bekuar u festua dhe në Gjirokastër dhe qytete të tjera të vendit.