Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të së premtes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë per faljen e namazit të Kurban Bajramit. Ceremonia nisi në orën 06:15 në një atmosferë përkushtimi shpirtëror.
Kurban Bajrami, i njohur ndryshe si Festa e Sakrificës, përkujton gatishmërinë e profetit Ibrahim për të flijuar të birin si shenjë bindjeje ndaj Zotit. Me këtë rast, shumë familje myslimane therin kurban zakonisht dele, dhi apo lopë dhe mishin e ndajnë me të afërmit dhe të varfrit, si shenjë solidariteti dhe bujarie.
Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi.