Besimtarët katolikë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë sot Festën e Pashkës, ngjarjen më të rëndësishme në kalendarin e krishterë, që simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen.
Pashka simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, tri ditë pas vdekjes së Jezusit në kryq.
Pashka katolike shënohet pas një periudhe 40-ditore agjërimi dhe përgatitjeje shpirtërore, e njohur si periudha e Kreshmës.
Java e Shenjtë që paraprin ditën e Pashkës, përfshin disa nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik. Ajo nis me të Dielën e Palmave, që përkujton hyrjen e Jezu Krishtit në Jerusalem dhe vazhdon me të Enjten e Madhe, kur përkujtohet Darka e Fundit, si dhe të Premten e Madhe, dita e kryqëzimit dhe sakrificës së Krishtit.



