Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë falës së tij në konferencë për mediat ka deklaruar se objektivi i vitit të ardhshëm për opozitën është rrëzimi i qeverisë të cilën e ka quajtur një regjim.
Sipas tij me rrëzimin e qeverisë do të krijohet qeveria teknike e më pas zgjedhje të reja. Berisha shtoi se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama ishte një opsion por sipas tij ai nuk jep dorëheqjen prandaj duhet që shqiptarët të ngrihen dhe ta heqin.
“Kjo ishte sfida që ju bën shqiptarëve. Dorëheqja ishte një opsion, por ai nuk pranon dorëheqjen, shqiptarët do ta heqin. Shqiptarët do ta heqin, nuk mund të pranojnë kurrë më një hajdut si ai, për kryeministër.
Kështu që përgjigja ime është kjo; shqiptarët do ti tregojnë vendin atij. Dorëheqja ishte opsioni. Çdo njeri në kushtet e tij, përveç atij do të kishte dhënë dorëheqjen.
Atëherë unë i them, dhe ndaj e mbylla; prite zemërimin e popullit shqiptar. Shqiptarët nuk do të mundet kurrë ti vjedhë më, siç ka ndodhë deri sot,” tha ai.
Sipas tij të gjitha zhvillimet e regjistruara gjatë vitit 2025 ishin prova se Rama është kriminel. Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama duhet të dalë para drejtësisë.
“Pra, zhvillimet e muajve të fundit, 11 Maji dhe zhvillimet në vazhdim, provuan para çdo shqiptari se Edi Rama ka zero legjitimitet në postin e tij.
Se ai është një kriminel, një delinkuent që e ka vendin në bankën e të akuzuarit, para drejtësisë. Se ai po kryen krimin e shëmtuar jo vetëm të vjedhjes së qindra e qindra milionë, në mos miliarda siç është afera e Portit të Durrësit, por tani u thotë shqiptarëve se do u vjedh se drejtësia nuk ekziston.
Çka përbën një kushtrim të madh për çdo shqiptar dhe unë i them Edi Ramës, prite zemërimin popullor. Të garantoj se shumë shpejt do bjerë mbi ty. Duke përfunduar u uroj ju gëzuar Vitin e Ri.
U uroj qytetarëve shqiptarë këtë vit dhe të fillojmë vitin tjetër me forca, energji dhe guxim për të çliruar veten tonë, qytetarët shqiptarë, Shqipërinë, nga ky regjim, më i rrezikshmi sot në Europë, ndër më të rrezikshmit në botë’ , theksoi Berisha.



