Berisha zbulon akt-akuzën: Nxjerrin se Argita me Jamarbrin më kanë korruptuar mua

Për herë të parë nga arresti i shtëpisë Sali Berisha ka zhvilluar një videokonferencë me gazetarët pasi struktura antikorrupsion e mori zyrtarisht të pandehur me akuzën e “Korrupsionit pasiv” për dosjen e ish kompleksit Partizani.

Berisha sulmoi Prokurorët e SPAK, duke sjell edhe disa elementë nga aktakuza prej 500 faqesh.

“Kështu, në aktakuzën e tyre, treshja mercenare e prokurorisë private të Edi Ramës kanë sjellë si prova të korrupsionit tim pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza ime, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës, pra me para të tatuara, disa familjeve në nevojë shpenzimet për trajtimin e fëmijëve të tyre autikë në qendrën rajonale të autizmit në Shqipëri, të Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, drejtuese e të cilit është Liri Berisha.

Në aktakuzën e tyre, monstrat e fëmijëve tanë nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro.

Nuk është zakon kurrë të falënderosh publikisht familjarët, por nuk mund të ndalem pa i falënderuar me shumë mirënjohje Abin dhe Argitën sepse kanë mbajtur, kanë vazhduar traditën më fisnike të shqiptarëve, bujarinë dhe bamirësinë, e cila ka pasur në kohëra vlerësimet më të larta.”, tha Berisha.

Të Fundit