Berisha: Vrasja në sallën e gjyqit, dëshmi e dështimit të Reformës në Drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar dhe sot për vrasjen tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë të drejtpërdrejtë të dështimit të Reformës në Drejtësi.

“Ekzekutimi i gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit, njësoj sikur të ishte në shesh apo në rrugët e qytetit, tregon dështimin e plotë të reformës në drejtësi. Kjo reformë, në vend që t’u garantonte shqiptarëve një proces të drejtë ligjor, i privoi ata nga drejtësia si asnjëherë më parë në historinë e tyre – madje si asnjëherë në historinë e Europës pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Berisha.

Berisha theksoi se ngjarja është pasqyrë e vetëgjyqësisë në rritje, që sipas tij, po merr përmasa dramatike:

“Vrasja e drejtësisë është triumfi i vetëgjyqësisë, dhe në këtë sistem, askush nuk ka të ardhme. Rasti i djeshëm është më dramatiku, por nuk është i vetmi. Rastet e vetëgjyqësisë po shtohen përditë, si pasojë e një sistemi të falimentuar”, tha ai.

Ish-kryeministri kritikoi ashpër procesin e vetingut, të cilin e cilësoi si një “gjueti shtrigash”, e mbështetur në korrupsion dhe pagesa të dyshimta:

“Me një veting të ndërtuar mbi korrupsionin dhe me pagesa që shkojnë deri në 1 milion euro për një vend, ky proces ka krijuar një boshllëk katastrofik në sistem.”

Sipas Berishës, për shkak të këtij boshllëku janë krijuar 230 mijë dosje të pashqyrtuara në gjykata ndërsa thotë se qytetarët sot presin deri në 15 vjet për një vendim gjyqësor,

Berisha thekson se sipas ekspertëve, duhen 20 vjet për për t’u shqyrtuar dosjet që janë stok.

Të Fundit