Ish-kryeministri Sali Berisha, në takimin e përjavshëm me gazetarët, ka folur edhe për deklaratën e bërë dje nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, e cila dënoi incidentin e ndodhur në Kuvend me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeajn.
Berisha u shpreh se koha e lojës me kukulla ka marrë fund dhe i bëri thirrje SHBA të ndalojë ndërhyrjet e saj në proceset gjyqësore në Shqipëri.
“Lidhur me deklaratën, po theksoj këtu se ka marrë fund koha e lojës me kukulla. Sot ka opozitë të vërtetë. Askush nuk mund t’i diktojë kësaj opozite akuzat që duhet të bëjë dhe nuk duhet të bëjë. Unë pashë aty shqetësim edhe për akuza. Unë publikisht sot para mediave shpreh keqardhjen por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar unë iu informova. Thashë se kam informacion për dy burime. Gurvenatorja bën takime për procesin gjyqësor që nuk ka asnjë bazë ligjore. Kurrë sipas përcaktimit të procedurave të kodit civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë. Unë këtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri”,-tha Berisha.