Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha në drejtim të kryedemokratit Lulzim Basha dhe lidershipit të PD.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se rreziku i bunkerizimit vjen nga kushdo që shpalljen “non grata” të Berishës nga SHBA kërkon ta transferojë tek çdo demokrat.
Më tej Bardhi shkruan se thirrja e protestës kombëtare më 8 dhjetor nga ish-kryeministri është një mjerim kolektiv, pasi sipas tij, demokratët do të protestojnë kundër PD.
Sekretari i Përgjithshëm i PD thotë se protesta kundër lyerjes së selisë së PD i thërret vetëm një person që ka humbur arsyen.
Reagimi i Bardhit
Ka vetëm një rrezik për bunkerizimin e PD. Ai nuk vjen as nga adezivët me logon e PD, as nga risistemimi i disa ambjenteve të punës për sekretariatin e PD. Rreziku për bunkerizimin e PD vjen nga kushdo që shpalljen nongrata të Sali Berishës nga SHBA kërkon ta transferojë tek çdo demokrat.
Histeria me brava dhe blinda është një histori e dështuar dhe qesharake. Quhet mjerim kolektiv! Njësoj si qëllimi i të ashtuquajturës protestë kombëtare, ku demokratët ftohen të protestojnë kundër Partisë Demokratike!
Protesta kombëtare kundër lyerjes së godinës së PD, në oborrin e PD, mund të thërrasë vetëm dikush që e ka humbur arsyejen nga një hall i madh. Kjo nuk u shërben demokratëve, por i shërben vetëm Edi Ramës, dhe është vijim i talljes disa mujore me demokratët dhe sakrificën e tyre.