Sali Berisha foli këtë të enjte para godinës së Parlamentit, ku u pyet nga gazetarët në lidhje me takimin e Salianjit në Durrës.
Berisha tha se Salianji ka një axhendë personale dhe mund ta vazhdojë sa të ketë dëshirë ndërsa ka të drejtë të shtrojë çdo gjë në kryesi dhe në zonën ku është përgjegjës.
“Salianji është një anëtar kryesie që ka një axhendë personale dhe i uroj ta vazhdojë sa të ketë dëshirë. Ai ka bërë atë zgjedhje, e gëzoftë. Është një anëtar kryesie i cili në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtuar asnjë nga këto probleme. Ai ka një zonë në Kombinat, i ngarkuar për analizë, do të ketë axhendën personale, ta vazhdojë deri në fund. I përgëzoj strukturat e Durrësit që nuk u mashtruan nga një takim me axhendë tërësisht private. Deklarimi se militanti demokrat nuk dëgjohet, nuk ka mashtrim më të madh, pasi para jush dhe gjithë shqiptarëve, militanti demokrat ka votuar sa kurrë në ekzistencën e tij dhe vota është mënyra më e mirë për tu dëgjuar. Ndjekja e axhendës personale është një zgjedhje që unë nuk kam asnjë kundërshtim,” tha ai.
I pyetur nëse ndihet i sfiduar nga Salianji, Berisha tha: “Mos e pyet.”
“Ai po ndjek një axhendë personale dhe kaq, të vazhdojë me axhendën e tij personale. I përgëzoj demokratët e Durrësit që e braktisën, aty ishin disa që nuk u futën në listat për deputet, kishte edhe të tjerë që punuan për PS dhe kanë frikë nga analiza,” tha ai.




