Berisha: Salianji është i vetëpërjashtuar, nuk mund të kandidojë për kreun e PD

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi këtë të hënë në një konferencë për shtyp se Ervin Salianji nuk mund të kandidojë në zgjedhjet për drejtimin e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si “të vetëpërjashtuar”.

Berisha u shpreh se vendimi është i pandryshueshëm dhe lidhet me zgjedhjet e vetë deputetit. Sipas tij, “birësimi politik” që ai pretendon se është bërë ndaj Salianjit ka vulosur përfundimisht pozicionin e këtij të fundit në raport me Partinë Demokratike.

Berisha hodhi poshtë edhe pretendimet se mund të ketë frikë nga një përballje me Salianjin në garë, duke theksuar se gjatë karrierës së tij ka pasur gjithmonë rivalë, por në këtë rast bëhet fjalë për një vendim personal të deputetit.

“I vetëpërjashtuari është i vetëpërjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Tani, pse e birëson ky apo ai politikisht këtë apo atë, kjo nuk është puna ime. Birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. I gëzofshin ata që i birësojnë. Kaq është puna. E birësuan. Iku, mori fund. Kush e birësoi? E gjeni vetë ju. Shihni vetë. E birësuan, po të mos birësohej, do ishte ai. Ai zgjodhi vetë birësimin, iku, mori fund. Unë ç’është e vërteta kam shumë kënaqësi të kem rivalë dhe në të gjitha kohërat unë kam pasur rivalë. Por kur tjetri birësohet, bën zgjedhjen e tij. Politikisht e kam fjalën. E ka bërë, nuk kam ç’i bëj unë. Kështu që, nuk është përgjegjësia ime për atë që birësohet politikisht këtu apo aty, apo këndej dhe andej. Ka bërë zgjedhjen e tij”, tha Berisha.

Berisha theksoi se përgjegjësia për vendimet politike i takon vetë Salianjit, ndërsa shtoi se zgjedhjet në Parti po afrohen dhe procesi do të vijojë sipas rregullave të përcaktuara.

Të Fundit