Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur këtë të mërkurë një konferencë për shtyp, ku ka sulmuar ashpër qeverinë për situatën ekonomike në vend, duke denoncuar nivelin e ulët të pagave dhe rritjen e çmimeve.
“Nuk është çudi që të shpërthejë morri dhe zgjebja me këto çmime,” -deklaroi Berisha, teksa komentonte nivelin e çmimeve të produkteve bazë në raport me pagat minimale.
“Ndërkohë që Shqipëria ka pagën maksimale, asnjë njeri në Ballkan, asnjë president, asnjë kryeministër, asnjë gjykatës, asnjë prokuror nuk merr rrogën e Altin Troplinit. Jo, nuk i merr 7 mijë euro. Rroga 7 mijë euro nuk njihet në Ballkan.”
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe INSTAT-in për manipulim të të dhënave, duke iu referuar Eurostat-it për të treguar se nga viti 2023 në 2025, rroga minimale nuk është rritur, ndërkohë që çmimet janë “stratosferike”.
“Mos dëgjoni gënjeshtrat e Edi Ramës dhe INSTAT-it të Edi Ramës – nuk janë rritur, thotë Eurostat. Çmimet janë stratosferike.”
Ai solli si shembull rritjen e çmimeve për produktet e higjienës dhe ushqimet bazë:
“Pyesni ju një amvisë, shkon dhe blen ilaçin për lavatriçe 35 euro pakon, në një kohë kur në Gjermani DASH shitet me 17-18 euro.
Shkoni blini djathin… e keni tre herë më shtrenjtë se në SHBA, dy herë e gjysmë më shtrenjtë se në Greqi.”
Duke bërë një paralelizëm me vitin 1992, Berisha paralajmëroi pasoja të rënda shëndetësore dhe sociale:
“Kthehemi në vitin 1992. Shqipëria përjetoi epideminë e zgjebes në mbarë vendin. Nuk mund ta blejë ai më. 35 euro për një DASH pluhur.”
Ai përmbylli deklaratën e tij duke e quajtur situatën një “çmenduri”, duke theksuar se rroga minimale mbetet e pandryshuar, ndërsa çmimet janë përtej mesatares së Bashkimit Evropian:
“Pra, rroga minimale mbetet ajo, në një kohë kur të gjitha mjetet e higjienës, të gjitha produktet ushqimore rriten mbi mesataret e çmimeve në BE. Kjo është e vërteta.”