Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se ndodhen në një moment të rëndësishëm, atë të konstituimit të grupit parlamentar dhe përcaktimit të programit dhe strategjisë në jetën parlamentare.
Ai rikonfirmoi në detyrë Gazment Bardhin, kreun e Grupit Parlamentar.
Ndërsa nënkryetarë të Grupit të PD do të jenë Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti.
Sekretare e Grupit Parlamentar, Elda Hoti, ndërsa zëdhënëse e Grupit te PD, Ledina Aliolli.
Ndërkohë, Berisha propozoi sërish nënkryetar Kuvendi, Agron Gjekmarkajn.
Gjithashtu Berisha sqaroi vendimin e kryesisë për të hyrë në Parlament.
Berisha: Duhet të jemi fare i hapur me demokratët dhe demokratet, se vendimi i kryesisë për të hyrë në parlament, nuk është një vendim i lavdishëm dhe se jo të paktë janë ata demokrate e demokratë që kanë shkrirë dhe shkrijnë të gjithë energjitë e tyre në mbështetjen tonë, të cilët me mesazhe dhe në mënyra të ndryshme kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e kryesisë. U them demokrateve dhe demokratëve, që mbetën zemërthyer nga vendimi i djeshëm i kryesisë, se prania jonë në parlament, duke qenë zëri i tyre, është absolutisht në kushtet e territ të narko-diktaturës, e një rëndësie në vlerësimin tim jetik për realizimin e qëllimeve tona.