Kryetari i PD, Sali Berisha, komentoi gjatë një konference shtypi këtë të martë aksionin për heqjen e objekteve pa leje në Theth.
Sipas Berishës, e gjithë kjo bëhet për të mbuluar problemet mjedisore nga djegja e mbetjeve në Elbasan.
Berisha tha se Rama po merret me kontejnerët, sipas tij të një krimineli në Theth, ku flet për Prek Kodrën, dhe këtë, sipas Berishës, kryeministri e bën për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve nga Elbasani dhe nga Vlora për të mbuluar krimin e tmerrshëm mjedisor që ndodhi, sipas tij, me djegjen e mbetjeve në Elbasan.
“Rama nuk mban asnjë përgjegjësi për zjarrin që është krimi mjedisor më i rëndë në historinë e vendit por shkon dhe merret me kontejnerët e një krimineli si Prek Kodra për të mbuluar helmimin që u bëri qytetarëve të Elbasanit me një zjarr që qyteti nuk e kishte parë kurrë, zjarr në të cilin u prodhuan toksinat më të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Sipas dosjes ‘Metamorfoza’ Prek Kodra ishte angazhuar për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës. Dhe për Edi Ramën, nuk ishte ky problemi më kryesor. Prek Kodra rezulton si njeri që kishte marrë përsipër, i shtyrë nga Vuçiçi apo vëllezërit e Vuçiçit, atë nuk mund ta gjejnë se u njoftua dhe u largua ai. Informoj qytetarët se zhurma që bëhet për Thethin është njëlloj si të përpiqesh të mbulosh megakrimin e tij. Qeveria duhej të vendoste milionin mbi kokën e tij për të kapur atë që nga Shqipëria dolën të vrasin kryeministrin e Kosovës. Dhe problemi është se një prokurore nuk lëshoi urdhër arrest për kontejnerët, të cilët sipas raportit të policisë, nuk ishin ndërtim me themele, pra nuk plotësonin kushtin ligjor të ndërtimit pa leje. Jo! Dhe policia këtë vendim, që ta dinë qytetarët, këtë vendim të prokurores, nuk e apeloi, nuk e çoi në gjykatë. E kuptoni ju? Dhe ka dy ditë që llomotit për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga Elbasani, nga Vlora, për të mashtruar, për të mbuluar krimin e tmerrshëm mjedisor”, tha Berisha.