Berisha: Rama i caktoi vetes pension 4 mln lekë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se PD po përfundon raportin me shkeljet që sipas tij kanë ndodhur në zgjedhjet e 11 majit të cilin do t’ia dërgojë faktorit ndërkombëtar.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha publikoi pamje nga qendrat e votimit në Tiranë ku duken qytetarë të cilët votojnë më shumë se një herë, duke deklaruar se faktori ndërkombëtar është informuar për çdo shkelje të standardeve zgjedhore.

“Që të gjitha i çojmë online, i shpërndajmë në të gjitha drejtimet, përfshirë vëzhguesit ndërkombëtar, pa përjashtim të gjitha. Raporti është në përfundim”, tha kreu i PD-së.

Gjatë komunikimit me gazetarët, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka vendosur vetes një pension të lartë në nivelin 4 milion lekë.

“Pra, 4 milionë lekë, do të thotë 48 milionë lekë në vit pension Edi Rama për vete.

E garantoj se kurrë nuk do e gëzojë sepse pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT-it në Shqipëri është gjithsej 1.6 milionë lekë. Edi Rama caktoi për veten e tij një pension 30 e sa herë më të madh se mesataren e pensionit në vendin e tij”, tha Berisha.

Prej 3 muajsh kryetari i PD Sali Berisha është përqendruar në daljet publike vetëm tek denoncimi i procesit zgjedhor të 11 majit.

Të Fundit