Berisha: Rama e prishi Thethin se aty fitoi PD në zgjedhje

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë këtë të enjte në një konferencë për mediat. Ai ka vijuar akuzat ndaj qeverisë lidhur me aksionin e prishjes së ndërtimeve në Theth, duke e cilësuar ndërhyrjen si një “krim shtetëror” dhe akt hakmarrjeje politike nga kryeministri Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, e shoqëruar me pamje nga terreni, Berisha tha se asnjë nga ndërtimet e shembura nuk ndodhej në zonën e mbrojtur të parkut, por në zonën urbane ku ndërtesat janë të lejuara.

Sipas tij, ndërtesat ishin ndërtuar mbi tokë private dhe në përputhje me rregulloren e zonës, që parashikon ndërtim vetëm me dru ose gur.

“Thethi nuk është shkatërruar kurrë nga asnjë pushtues, qoftë edhe më barbarët. Edi Rama e ka shndërruar këtë zonë në një shesh shkatërrimi. Ky është shpërthimi i urrejtjes së një njeriu që e ka urrejtjen njerëzore si shtyllë të moralit të tij të kalbur.”-tha Berisha.

Ai theksoi se prishjet janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, me urdhër politik të kryeministrit. Sipas Berishës, arsyeja e vërtetë qëndron te rezultati elektoral në Theth.

“Në Theth nuk kanë votuar PS-në, por kanë votuar PD-në dhe kjo është hakmarrja primitive e Edi Ramës ndaj tyre! Ky është rezultati i qendrës së votimit ku ju patë atë krim të shëmtuar. PD në këtë qendër ka marrë 95 vota dhe PS 82. Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në.”-tha Berisha.

Ai solli në vëmendje se përpara zgjedhjeve, qeveria e kishte paraqitur zhvillimin e turizmit në Theth si arritje.

“Para zgjedhjeve mburreshin me ato ndërtime, mburreshin se Thethi kishte arritur të ketë 2 mijë shtretër. Vërtet arritje shumë e madhe, po të kemi parasysh se një shtrat në Theth ka një kosto të paktën tre herë më të lartë se një në Tiranë apo në bregdet. Por ja ku janë 2 mijë shtretërit e Thethit sot.”-vijoi ai.

Në fund të deklaratës, Berisha iu bëri thirrje banorëve të zonës dhe qytetarëve në të gjithë vendin:

“U bëj thirrje banorëve të Thethit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, të ngrihemi për t’u ndarë në mënyrë përfundimtare nga kjo e keqe e madhe që po rrënon çdo ditë shqiptarët. Nga ky armik i egër i veriut të Shqipërisë, i cili rrezaton armiqësi, urrejtje, negativitet ndaj tyre.”-tha Berisha.

Të Fundit