Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorët e Bregut të Lumit, ku prezantoi programin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se programi është hartuar me ndihmën e ekspertëve më të mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.
Berisha ka shprehur mirënjohjen e tij për qëndresën e banorëve të zonës përballë sfidave të shumta. Ai dënoi ashpër atë që e quajti arbitraritet dhe padrejtësi ndaj tyre.
“Ne paraqitemi para shqiptarëve me një front të bashkuar më të gjerë se kurrë, me mbështetjen e 26 partive politike dhe një vlerësim ndërkombëtar për qëndresën tonë. Kemi siguruar një ekspertizë të jashtëzakonshme zgjedhore, përfshirë ekspertë që kanë luajtur rol kyç në rikthimin historik të presidentit Donald Trump,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se programi i hartuar për Shqipërinë Madhështore është rezultat i punës së ekonomistëve më të njohur amerikanë dhe gjermanë. Sipas tij, ky program adreson në mënyrë të plotë problematikat e qytetarëve shqiptarë, si në kryeqytet, ashtu edhe në zonat periferike e rurale.
“Ne paraqitemi para qytetarëve shqiptarë me të cilin ne besojmë se, u japim përgjigjen më të mirë të gjitha problematikave të tyre, kudo që ndodhen ata, në qendër të Tiranës, apo këtu në periferi, në Shën Gjergj, apo në Dukagjin dhe në Pogonë. Ne kemi hartuar me ekspertizën më të mirë, me ekonomistët më të shquar të sotëm të SHBA-ve, Gjermanisë, mbështetjen e tyre, programin më të mirë për një Shqipëri Madhështore”, tha Berisha.