Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë një takim me degën 11 të PD-së në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Berisha u zotua se nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, asnjë banesë e ndërtuar nga qytetarët nuk do të prishet. Ai premtoi legalizim të plotë në zonën e Laprakës dhe më pas urbanizimin e saj.
“Firmos para jush një kontratë: asnjë banesë nuk do të preket. Do të ketë legalizim të plotë dhe pastaj urbanizim. Edhe ata që kanë pësuar prishje do të dëmshpërblehen sipas këtij parimi,” deklaroi Berisha.
Në vijim, Berisha sulmoi ashpër paketën ekonomike të paraqitur nga kryeministri Edi Rama, të njohur si “Paqja Fiskale”, duke e quajtur atë një “parajsë për botën e krimit”.
“Paqja e tij fiskale është amnisti për paratë e drogës dhe klaneve mafioze. Asnjë euro e tyre nuk do të lejohet të futet në Shqipëri. Rënia e euros me 35% ka sjellë falimentimin e shumë bizneseve shqiptare dhe largimin e mijëra shqiptarëve në emigracion,” theksoi Berisha.
Ndër premtimet e tjera të Berishës për qytetarët dhe bizneset ishin:
Falja e të gjitha gjobave administrative ndaj qytetarëve dhe bizneseve nga data 12 maj.
Ulja e çmimit të energjisë për bizneset nga 18 lekë në 6 lekë dhe për familjet nga 9.5 lekë në 7 lekë.
Përgjysmimi i tarifave të ujit.
Heqja e menjëhershme e taksës antikushtetuese të arsimit të vendosur nga bashkitë.
Vendosja e kufirit të taksave bashkiake jo më shumë se 1% e xhiros për bizneset e vogla.
Berisha u zotua se në qeverisjen e tij do të sundojë vetëm ligji dhe se nuk do të ketë “asnjë paqe me botën e krimit”.