Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ishte pjesë e një tryeze të rrumbullakët me temë “Riktheni të rinjtë shqiptarë përsëri në atdhe”.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se do të jenë të angazhuar për një politike që do të rikthejë të rinjtë shqiptarë në vendin e tyre.
Berisha mori shembullin e Mira Muratit, që tha se është magjistarja e inteligjencës artificiale, ndërsa Dua Lipa zëri më i bukur në botë.
“Ne do të jemi të angazhuar ndaj një politike e cila do të kthejë të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen, kudo ku punojnë në botë., Po të shikosh sot në mbarë botën më të famshmit mes shqiptarëve janë të rinjtë. Le të marrim Mira Muratin, ajo është magjistarja e inteligjencës artificiale. Dua Lipa ndoshta zëri më i bukur sot në skenën botërore.
Ideja e rikthimit të trurit u diktua prej largimit të trurit. Ne po përballemi me një eksod të madh gjatë viteve të fundit.
Ne nuk duhet të shkurajohemi, duhet të bëjmë çmos në mënyrë që gjërat të funksionojnë më mirë. Ajo që tregoi departamenti duke punuar si opozitë, punoi shumë më mirë për tu afruar pranë të rinjve. Këta të rinj do të jenë pjesë substanciale e administratës së ardhshme. Ne kemi nevojë shumë për kontributin e të rinjve. Ai kontribut është jetik, misioni ynë nuk mund të realizohet pa vizionin tuaj. Ëndrrat tuaj do ti japin të ardhmen këtij vendi”, tha Sali Berisha.
Kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh se kur PD do të vijë në pushtet, do të ofrojë mbështetje reale për ta.
Berisha tha se çiftet e reja, kur të kenë fëmijën e tretë, nuk do të paguajnë kredi, pasi ajo do të shlyhet nga shteti.
Gjithashtu ai tha se çdokush që kthehet nga emigrimi për të investuar në Shqipëri, nuk do të taksohet për 5 vjet.
Ai hodhi akuza edhe ndaj qeverisë, duke thënë se po i kopjon programin.
“Ne do të ofrojmë kredi të buta për banesat, e di që çmimet sot janë shumë të larta dhe duket sikur apartamentet janë të ndaluar, megjithatë ne do të ofrojmë mundësi reale për ju, një mbështetje për fëmijën e tretë. Kur të kenë fëmijën e tretë, çiftet nuk do të kenë pse të paguajnë kredi. Kredia do të paguhet nga shteti.
Çdo i ri, çdo emigrant, do të trajtohet pa dallim, kushdo që do të vijë të investojnë Shqipëri, nuk do të taksohet për 5 vjet.
Kundërshtarët tanë po kopjojnë programin tonë. Megjithëse ata janë plot gënjeshtra dhe korrupsion, sepse në këtë mënyrë e trajtojnë programin. Kanë 12 vjet në pushtet dhe nuk kanë ofruar asgjë veçse kanë larguar njerëzit.
Edi Rama është një arrogant i lindur, e ka në gjak. Është problematik. Por ai i di se të rinjtë e urrejnë dhe nuk e pranojnë arrogancën. Kështu ai i urren ata, do që të largohen nga vendi. Të rinjtë sot duhet të votojnë për ta lënë Edi Ramën në të kaluarën”- tha ai.