Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publik qëndrimin e këshilltarëve të PD-së një ditë para mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku do të votohet për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Sipas Berishës, këshilltarët demokratë do të votojnë pro shkarkimit të Veliajt, por kërkojnë që ai të dëgjohet gjatë seancës.
“Së pari, Erion Veliaj është atje ku është… PD ka denoncuar krimet e tij me 47 protesta, të adresuara direkt kundër tij. Këshilltarët tanë janë të parët që kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur shkarkimin e tij. Nuk ka diskutim se vota e tyre është automatikisht për shkarkimin. Por në qoftë se Edi Rama nuk ka frikë nga Erion Veliaj, se i nxjerr krimet e tij, ta lërë të flasë aty. Të jeni edhe ju mediat aty dhe të flasë. Se ky është rregulli,” përfundoi Berisha.