Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi gjatë një konference me gazetarët këtë të premte se PD ka përgatitur një amendament të ri ligjor që lehtëson votimin e shqiptarëve të diasporës.
Berisha theksoi se amendamenti synon njohjen ligjore në procesin e votimit, të çdo dokumenti biometrik të lëshuar nga vendet ku jetojnë emigrantët, përfshirë letërnjoftimet dhe pasaportat e vendeve të tjera.
Sipas kryedemokratit, shumë shqiptar që jetojnë jashtë vendit nuk mund të regjistrohen në procesin e votimit për shkak të mungesës së dokumenteve të rinovuara.
Ai e cilësoi përjashtimin e këtyre qytetarëve nga procesi zgjedhor si një akt diskriminues dhe të papranueshëm.
Berisha ftoi emigrantët të përgatiten për protesta të fuqishme në selitë e ambasadave në vendet ku jetojnë për të siguruar të drejtën e tyre të votës.
“Pra, ne e bëmë edhe kompromisin, por meqenëse u kërkua dhe në sensin që të bëjmë ndryshime me lëshime reciproke, kjo nuk duhet të jetë fare lëshim se nuk mund të ketë forcë politike që të pranojë të ndëshkojë dy të tretat e shqiptarëve se nuk kanë letërnjoftimet shqiptare apo pasaportat në xhep.
Në këtë kontekst, unë ftoj edhe njëherë, në radhë të parë KQZ që të bëjë demarshet zyrtare dhe të shprehet publikisht sepse zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një detyrim madhor kushtetues.
Përndryshe, ne do organizojmë demonstratat më të fuqishme pranë ambasadave të narkoshtetit, por jo vetëm pranë ambasadave.
Pra, do të nisë një lëvizje e re e fuqishme e mosbindjes civile, kjo që është në Shqipëri, do vazhdojë në botë.
Nuk mund të pajtohemi kurrë me një frikë dhe absurditet që tregon regjimi ndaj votës së emigracionit.
Kjo do të thotë të përjashtohesh të paktën 1 milionë shqiptarë nga e drejta e votës.
Sepse është bërë shumë e qartë, Eurostati thotë 1.1 milionë shqiptarë nga viti 2014 deri në vitin 2022. Prej tyre, nja 200 e ca mijë janë të palegalizuar. Të tjerët janë ose bashkim familjar, ose të legalizuar. Pra, dy të tretat ose më shumë janë se duan t’i përjashtojnë në këtë mënyrë.
Unë nuk them se të gjithë këta nuk kanë dokumente, por në tërësi nuk kanë dokumente.
Dhe nga të katër anët e vendit njoftohemi se ne nuk po regjistrohemi dot për shkak të dokumenteve.
Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë emigrantëve dhe diasporës, të përgatiten për protestat më të fuqishme para selive të ambasadave që përfaqësojnë narkoshtetin, i cili kërkon t’i dënojë ata dhe de facto t’ua mohojë të drejtën e votës.
Përbën kjo një shkelje shumë të rëndë, shumë të madhe, përjashtimi i 1 milion shqiptarëve vetëm se nuk kanë dokument shqiptar, është i padëgjuar ndonjëherë”, tha Berisha.