Berisha njofton pjesëmarrjen në mbledhje, reagon Bardhi: Ti je non-grata, nuk na imponohesh dot!

Gazment Bardhi është kundër pjesëmarrjes së Sali Berishës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Bardhi thotë se Berisha është i shpallur non-grata dhe nuk mund ti imponohet kësaj partie.

“Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet ti imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti.

Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur nongrata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet. Çdo sjellje tjetër që i imponohet me kokëfortësi grupit parlamentar, pa e pyetur dhe duke e injoruar atë, është e papranueshme dhe jo demokratike”, shkruan Bardhi.

Kujtojmë se mbledhja është thirrur nga Enkelejd Alibeaj, i cili pretendon se është kryetar në detyrë i Partisë Demokratike. Ndërsa grupi Berisha, pas vendimit të gjykatës që njohu statutin e 11 dhjetorit, pretendojnë se partinë e drejton Komisioni i Rithemelimit.

Berisha ka njoftuar pjesëmarrjen në mbledhjen e grupit, çka duket se e ka tensionuar më tej situatën në PD.

Të Fundit