Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë zhvillimit të konferencës së tij këtë të hënë, tha se dita e nesërme do të jetë dita e qytetarëve dhe u bëri ftesë të hapur të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së 10 shkurtit. Ai theksoi se shqiptarët duhet të performojnë që të meritojnë atë që kërkojnë.
Sakaq, Berisha nuk u rezervua të akuzonte edhe Edi Ramën, i cili sipas tij është njeriu që lëviz me hekura nëpër ekrane.
“Ne nuk i kërkonim lëmoshë askujt. Ne duhet të performojmë që të meritojmë atë që kërkojmë. Ne besojmë se kjo është rruga e interesit maksimal të shqiptarëve për t’u integruar. Sepse procesi i integrimit evropian ka synimin t’i bëjë shqiptarët më të lirë, më të begatë, më të sigurt. Kjo rrugë ka funksionuar. Merrni pak rrugën tjetër. Ja se si është. Ja se çfarë regresi. Ndaj edhe unë i siguroj partnerët tanë se ne kemi qëllim kryesor integrimin e bazuar në meritë dhe jo në suksese imagjinare. Këtë ne nuk e kërkojmë, nuk e bëjmë. Shqipëria sot është një vend i dhunimit masiv të të drejtave të njeriut. Njeriu që lëviz me hekura nëpër ekrane, ankohet sot se janë mbushur burgjet.
Po kush i mbushi burgjet? Burgjet i mbushi politika terrorizuese, burgjet i mbushe ti që i le shqiptarët pa të drejtën e procesit gjyqësor. Dhe tani kërkon të fajësojë askënd. Në këtë udhëtim, ai do të shkelmojë në Bruksel interesat e çdo shqiptari. Ndaj edhe nesër është dita e qytetarëve.
Ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës në kryengritjen paqësore, t’i faktojmë kombit, Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pasurimit të tyre”, u shpreh Berisha.



