Berisha me fermerët në Dimal: Subvencionet do të rriten në 230 milionë euro

Kryedemokrati Sali Berisha mbajti këtë të premte një takim me fermerët në Dimal, ku shpalosi programin e Partisë Demokratike për fermerët.

Berisha në fjalën e tij theksoi se nëse PD vjen në pushtet subvencionet do të rriten nga 32 milionë euro në 230 milionë euro!

Berisha shtoi se fermerët shqiptar janë të diskriminuar pasi marrin 5 herë më pak subvencione se fermerët në rajon, duke e bërë të pamundur konkurrueshmërinë e tyre në treg.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të dashur fermerë të Kutallisë, Urës, Dimalit, Kuçovës, Beratit dhe mbarë Shqipërisë, u përshëndes përzemërsisht dhe u falenderoj shumë për këtë takim.

Unë dua të përshëndes gjithashtu para jush mikeshën e shquar të PD, timen dhe të Shqipërisë, deputeten në parlamentin italian, zonjën Erika Maseti, e cila ndodhet këtu sot për të mbështetur opozitën shqiptare në këtë fushatë elektorale si dëshmi e lidhjeve të ngushta miqësore që bashkojnë PD-në me partinë Forza Italia qënë kohën e presidentit të pavdekshëm, mikut të madh të shqiptarëve, italianit të madh, Silvio Berluskoni.

I dashur Eno, drejtues politik i qarkut të Beratit, i dashur Gjokë, drejtues i departamentit të bujqësisë në PD, të dashur kryetarë të degëve të PD në këtë qark, të nderuar kandidatë për deputetë të PD dhe koalicionit për Shqipërinë Madhështorë, të pranishëm në këtë takim, që jeni krenaria e popullit shqiptar, nesër deputetë në parlamentin e vendit.

Unë vij sot tek ju për të parashtruar programin tonë, me të cilin duhet të garantojmë çdo fermer të Kutallisë, të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë se ky program ka si qëllim më kryesor suksesin dhe rritjen e mirëqenies të fermerëve shqiptarë, të cilët ndërtojnë jetën e tyre me lumenj djerse dhe sakrifice.

U garantoj se do bëjmë gjithçka që ky mund, kjo djersë dhe këto sakrifica të japin më shumë për ju, për familjet tuaja dhe për vendin.

Ky është qëllimi i programit tonë.

Ne konsiderojmë diskriminimin që u bë juve këto 12 vite, një diskriminim të pafalshëm.

Fermerë, mjafton t’u them një shifër unë këtu, në qoftë se fermeri në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, merr sot 5 herë më shumë se ju subvencione, ky është një diskriminim dhe ndëshkim për ju.

Hapja e tregut iu bën ju të pamundur ju të konkurroni me ata që subvencionohen pesë herë më shumë se ju.

Shpesh ndoshta më keni dëgjuar të them se në këtë program, akti i parë që do bëjmë do jetë rikthimi i parave tek qytetarët.

Ky nuk është slogan, por një realitet.

Nga 380 mijë fermerë shteti merr taksën e vlerës së shtuar në çdo blerje që ata bëjnë. Paguajnë 20 përqind.

Në 380 mijë fermerë që japin 19 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit, që punësojnë rreth 500 mijë shqiptarë, buxheti i shtetit, miq të dashur, ka lënë këtë vit për fermerin, pa llogaritur ato të administratës që marrin rroga, 32 milionë euro.

Shumë më qesharake, më e turpshme.

Në një kohë kur Maqedonia e ka 220 milionë euro, Kosova e ka 4-5 herë më të madh se ne. Serbia 7-8 herë më të lartë.

Çfarë do bëjmë ne? Ne do u kthejmë paratë, se paratë i marrim nga ju.

Ne nga 32 do kalojmë në 230 milionë me të cilat do subvencionojmë çdo fidan që do mbillni, çdo kokë bagëti që do mbani, çdo njësi prodhimi.

Ky do jetë zotimi solemn i yni për ju.

Të Fundit