Ndërsa vetëm pak ditë na ndajnë nga protesta e thirrur më 22 dhjetor nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ish-deputeti Ervin Salianji është zhveshur nga funksionet në këtë forcë politike.
Gazetari i Klan Newa raporton këtë të enjte, më 18 dhjetor, PD e ka larguar Salinjin si drejtues politik të njësisë 6 në Tiranë.
Ky vendim vjen pas një përplasjeje në distancë mes tij dhe drejtuesit të Partisë Demokratike, Berishës. Ky i fundit, ditën e djeshme gjatë një konference për mediat, ngriti akuza të forta ndaj Salianjit, duke thënë se takimin me demokratët në Elbasan ia kishin organizuar bandat e krimit. Bëhet fjalë për takimet paralele që Salianji ka zhvilluar me demokratët e bazës, në të njëjtën kohë me turin e foltoreve të zhvilluar nga Berisha në qytete të ndryshme.
Berisha e cilësoi këtë si vijën e kuqe të kësaj partie. Salianji i hodhi poshtë këto akuza dhe u kundërpërgjigj duke thënë se drejtuesit që duhet të japin llogari para demokratëve, në vend që të bëjnë këtë, u kërkojnë llogari atyre pse mblidhen dhe i përbaltin.



