Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj draftit të ri të Kodit Penal të prezantuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili pritet të kalojë në konsultim publik dhe më pas në parlament. Sipas tij, ky projektligj synon të përforcojë kontrollin e qeverisë ndaj qytetarëve të zakonshëm, ndërsa favorizon personat e lidhur me pushtetin, përfshirë edhe të dënuarit me burgim të përjetshëm.
“Pa asnjë debat paraprak të gjerë, paraqesin këtu arkitekturën e plotë të kodit penal të diktaturës komuniste në raport me lirinë, fjalën dhe trajtimin e qytetarëve,” deklaroi Berisha gjatë një konference për shtyp nga selia blu.
Duke e cilësuar draftin si “kodin e përçudnive të mëdha”, Berisha shprehet se me ndryshimet ligjore qytetarët shqiptarë do të ndëshkohen ashpër për veprime minimale, ndërsa zyrtarët e lartë përfitojnë nga ligje të buta.
“Sot me këtë kod, qytetari shqiptar dënohet me burg për një parkim të gabuar. Burgoset për një kundërshtim që i bën një polici pijanec apo të droguar. Dënohet me dhjetëra vite burg nëse i ka marrë ndërmarrjes 1 milion lekë, ndërsa zyrtari duhet të vjedhë qindra milionë që të marrë dënimin që meriton,” thekson ai.
Berisha kritikon gjithashtu parashikimin që i jep mundësi rishikimi të dënimit edhe të dënuarve për krime të rënda.
“Ky është kodi që vrasësit serialë i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë, në një kohë kur në vendet demokratike ata marrin dënimin me vdekje,” shton Berisha.
Ai pretendon se këto ndryshime ligjore bëhen për të favorizuar individë të lidhur me mazhorancën.
“Meqenëse ka ndodhur që këta janë enturazhi i Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë, atëherë duhet të bëjmë ligjin që këtyre t’u japim një shans të dytë,” përfundon Berisha.